Mirëse vini!
Shkollat e larta publike të Vienës
Shkollat e larta publike të Vienës (VHS) janë institucione arsimore për të rritur në Austri dhe janë të pranishme në 50 zona në mbarë Vienën. 16 shkolla të larta publike, 8 institucione të specializuara dhe 14 qendra mbledhjesh japin një kontribut të rëndësishëm për bashkëjetesën e gjithë vienezëve. Qëllimi i tyre është lehtësimi i arsimimit të gjithë njerëzve. Për këtë arsye, pranimet nuk varen nga kualifikimi paraprak, nga pozicioni shoqëror dhe nga prejardhja.
Në programet e 16 shkollave të larta publike vieneze zhvillohen çdo vit mbi 20.000 kurse, seminare dhe kurse studimi nga shumë fusha të dijes. Këto fusha janë përkatësisht:
Gjuhët
Diploma shkollore & arsimi bazë
Ekonomia & personaliteti
Kompjuter & Multimedia
Teknika, Natyra & Mjedisi
Arti & Kultura
Politika & shoqëria
Shëndeti & lëvizja
Fëmijët & prindërit
8 institucionet e specializuara përcjellin ekspertizën e tyre në një fushë të caktuar. Ndër këto fusha renditen: Ekologji, Riciklim, Astronomi, Feminizëm, Art, Film, Kulturë judaike dhe Histori të Arsimit Kombëtar Austriak.
14 qendrat e mbledhjeve ofrojnë salla të madhësive të ndryshme për 80-700 persona, për shembull për takime kulturore, diskutime ose mbledhje. Këto përdoren nga shkollat e larta publike për takimet mësimore. Këto qendra mbledhjesh mund të merren me qira edhe nga persona ose kompani private për takime të ndryshme.
Arsimimi që ofrojnë shkollat e larta publike vieneze karakterizohet nga fleksibilitet, shumëllojshmëri metodash dhe mbikëqyrje efektive. Ndër klientët e tyre renditen gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në Vienë, institute publike dhe shoqata e ndërmarrje. Aktiviteti i shkollave të larta publike vieneze financohet nga qyteti i Vienës dhe nga kontributet e kurseve. Një rol të rëndësishëm zënë edhe kontributet e Ministrisë së Arsimit, Fondit Social Europian, AMS-së dhe institucioneve të tjera.
Shkollat e larta vieneze janë pjesë e një shoqërie të hapur dhe të drejtë sociale – duhet të ketë shanse të barabarta për të gjithë njerëzit, përmes të cilave ata të mund të shpalosin plotësisht potencialin e tyre dhe të marrin pjesë aktive në shoqëri.
Përdorimi i shumë gjuhëve dhe mundësimi i një arsimimi dhe komunikimi cilësor shumëgjuhësh, mundëson emancipimin e qytetarëve të këtij qyteti. Njohuritë shumëgjuhëshe sjellin larmi, tolerancë dhe liri. Për këtë arsye, ne mbështesim përpjekjet aktive gjuhësore dhe politikat integruese të shkollave të larta publike. Në këtë kuadër, ky tekst informues është përkthyer në 25 gjuhët më të përhapura mes vienezëve. Në këtë mënyrë duam t’i evidentojmë këto gjuhë më shumë duke i bërë edhe më të përdorshme si dhe duam ta bëjmë arsimin në Vienë të mundshëm për gjithë njerëzit që jetojnë këtu.
Të dhëna për kurset tona do të gjeni në gjuhën gjermane – pjesërisht në gjuhën angleze, turke dhe boshnjake/kroate/serbe – në faqen tonë të internetit, www.vhs.at



